Ministry of Defence - Republic of Albania

11/26/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/27/2024 03:38

Niset në Letoni kontigjenti i XVI, ministri Vengu: EOD, kapacitet kombëtar

Niset në Letoni kontigjenti i XVI, ministri Vengu: EOD, kapacitet kombëtar


e martë, 26 nëntor 2024 16:37

Në Komandën Mbështetëse u zhvillua ceremonia për nisjen e kontigjentit të XVI, EOD prej 21 ushtarakësh, i cili do të marrë pjesë në misionin e Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO-s, duke iu atashuar brigadës shumëkombëshe në Camp Adazi, Letoni.

Në ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes, zoti Pirro Vengu, shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-major Arben Kingji, komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Shkëqim Çela, familjarë të efektivëve të kontigjentit dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, komandant Çela falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe njëkohësisht kontigjentin e XVI, duke shprehur bindjen se ata janë vazhdues të denjë të rrugës së nisur nga kontigjentet e mëparshme.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vlerësoi sakrificën e pjesëmarrësve në këtë kontigjent dhe mbështetjen e pakufizuar nga familjet e tyre për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare.

"Sakrifica juaj, edhe ajo e familjeve tuaja, të cilat i përshëndes me shumë respekt sot, merr vlerësimin më të madh nga ne, nga bashkëkombasit tuaj dhe nga atdheu. Ju uroj mision të mbarë dhe të suksesshëm," tha ministri.
Vengu theksoi se kapacitetet EOD janë të mirënjohura tashmë si kapacitet kombëtar.

Komandanti i kontigjentit të XVI, major Algert Lala, u shpreh në emër të kontigjentit se me disiplinë dhe profesionalizëm do të përfaqësojnë dhe rrisin vlerat e Forcave tona të Armatosura në këtë mision.

Ky rrugëtim ka nisur në vitin 2017, ku Komanda Mbështetëse përfaqësohet nga një togë EOD, duke radhitur Forcat tona të Armatosura përkrah vendeve aleate të NATO-s.