Ministry of Defence - Republic of Albania

10/25/2024 | Press release | Distributed by Public on 10/25/2024 09:24

Çelja e aplikimeve për projektet e Mbrojtjes Civile, ministri Vengu nis turin informues nga Durrësi

Çelja e aplikimeve për projektet e Mbrojtjes Civile, ministri Vengu nis turin informues nga Durrësi


e premte, 25 tetor 2024 17:16

Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu e nisi nga qarku i Durrësit turin informues me bashkitë e vendit, pas çeljes së aplikimeve për paraqitjen e projekteve nga njësitë vendore në kuadër të Mbrojtjes Civile.
Në takimin, ku morën pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit znj. Emirjana Sako, kryetari i bashkisë së Shijakut z. Elton Arbana, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Haki Çako e përfaqësues të bashkive të tjera të qarkut, ministri Vengu e cilësoi këtë një thirrje mjaft të rëndësishme: "Kemi një përpjekje buxhetore të konsiderueshme nga qeveria shqiptare dhe jemi në bisedime të vazhdueshme me Ministrinë e Financave, në mënyrë që viti 2025 t'i gjejë të gjitha bashkitë të paktën me një projekt domethënës në infrastrukturën parandaluese për efekt të Mbrojtjes Civile", - u shpreh gjatë fjalës së tij, në këtë takim, ministri i Mbrojtjes.

Ministri Vengu u tha drejtuesve të pushtetit vendor se i gjithë ky proces është në mbështetje të njësive vendore: "Kemi vendosur t'ua lehtësojmë procesin, kemi vendosur të marrim projektet tuaja tani dhe t'i shqyrtojmë që të mundësojmë lëvrimin e fondeve në kohë dhe viti pasues ju gjen me të gjitha kushtet për të vepruar".

"Është e vërtetë që rëndesa bie mbi pushtetin vendor, ndaj ne duhet t'i forcojmë këto kapacitete. Jemi shumë koshientë që bashkitë kanë shtrirje të gjerë territoriale, kanë nevoja të mbulojnë me mjetet e tyre zonat urbane, zonat rurale në fazë urbanizimi dhe, me ato mjete, zakonisht bashkitë janë të pajisura, por kur vjen puna te zonat malore, pyjore, të cilat kanë akses të vështirë, duhet një ndërhyrje sezonale. Do të keni një paketë financiare të dedikuar në mënyrë që ju të investoni në mjete që shpeshherë nuk janë të kushtueshme, por ju ndihmojnë të ndërhyni. Shfrytëzojeni këtë mundësi! Ju bëj thirrje të tria bashkive të qarkut që ta shfrytëzojnë maksimalisht", - theksoi gjatë fjalës së tij, ministri Vengu. Sipas Ministrit të Mbrojtjes e gjithë kjo periudhë deri më 25 nëntor do t'i dedikohet emergjencave civile.

Katër fushat, në të cilat Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive në të gjithë vendin që të paraqesin projektet e tyre janë: Investimet në infrastrukturë, blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, rehabilitimin e digave dhe ndërtimi i urave Bailey.

Takimet informuese të ministrit Vengu do të vijojnë edhe në qarqet e tjera të vendit.