Ministry of Defence - Republic of Albania

09/12/2024 | Press release | Distributed by Public on 09/13/2024 01:01

Fjala e plotë e ministrit të Mbrojtjes në seancën parlamentare 'Për aktin normativ për disa ndryshime e shtesa në ligjin 'Për buxhetin e vitit 2024'”

Fjala e plotë e ministrit të Mbrojtjes në seancën parlamentare "Për aktin normativ për disa ndryshime e shtesa në ligjin 'Për buxhetin e vitit 2024'"


e enjte, 12 shtator 2024 20:39

E nderuar Kryetare,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,

Ky akt normativ sjell disa risi në Buxhetin e Mbrojtjes, duke krijuar kushtet që një numër i konsiderueshëm prioritetesh dhe investimesh të jetësohen.

Përtej faktit që Buxheti për Sigurinë dhe Mbrojtjen vjen në rritje (vlera totale 48,7 miliard Lek duke u shtuar në vlerën 355,5 milion Lek apo e shprehur në përqindje 0.74%), në përputhje me angazhimin tonë përkundrejt Aleancës, më lejoni të sqaroj shkurtimisht disa risi në fushën e Mbrojtjes:

Shtylla e parë ka të bëjë me rritjen e pagave të personelit civil dhe ushtarak, nga 7% e përshkallëzuar deri në 22% duke i dhënë përparësi gradave të ulëta. U tha këtu se, nuk kemi risi për pagat. Jo vetëm që kemi rritje pagash, por kemi gjithashtu një politikë rishpërndarje të të ardhurave publike drejt atyre që kanë më shumë nevojë.

Në këtë mënyrë jo vetëm linjëzojmë pagat e Forcave të Armatosura me rritjen që mori së fundmi trupa e Policisë së Shtetit, por sigurojmë gjithashtu që personeli i specializuar ushtarak, pilotët, inxhinierët apo operatorët e dronëve ushtarakë, të kenë një shpërblim sa më dinjitoz.

Ky është një hap domethënës drejt arritjes së objektivit të qeverisë shqiptare për një trupë ushtarake të mirëpajisur, të mirëpaguar dhe të mirëstërvitur.

Shtylla e dytë ka të bëjë me ringritjen e Industrisë së Mbrojtjes, ku Akti Normativ parashikon një investim domethënës për krijimin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes dhe themelimin e shoqërisë shtetërore KAYO. Këto dy ente të reja përbëjnë instrumentin kryesor të rijetësimit të Industrisë Ushtarake. Përse është e rëndësishme kjo? Për tre arsye:

• E para, për efekt se tashmë kemi një kuadër rregullator të qartë, të linjëzuar me standardet e NATO, duke përfshirë disa masa nxitëse për investitorët e huaj në këtë fushë, duke synuar krijimin e kompanive të përbashkëta, nga prodhimi i të cilave shteti shqiptar mund të gjenerojë më shumë të ardhura publike, sepse kjo qeveri e di më mirë se askush tjetër që nevojat reale për më shumë drejtësi sociale, më shumë barazi në paga dhe më shumë investime në shërbime publike, nuk mund të adresohen me rritje taksash, por vetëm me rritjen e qëndrueshme të të ardhurave dhe të mirave publike;
• Pikërisht dhe kjo është pika e dytë, vizioni që jetëson ky akt normativ është që: sektori i mbrojtjes mos të jetë vetëm një shpenzim, mos të jetë vetëm një kosto për taksapaguesit, por të mund të gjenerojë gjithashtu të ardhura dhe të mira publike në funksion të rritjes së pagave, rritjes së pensioneve dhe rritjes së investimeve;
• Dhe, arsyeja e tretë, përse kjo industri është e rëndësishme, ka të bëjë me efektet zinxhirë, që sjell në ekonominë në tërësi, sidomos në industritë civile pasi nuk ka industri ushtarake të suksesshme pa një industri civile dinamike.

Në këtë kontekst, vlen të theksohet se akti normativ mundëson gjithashtu likuidimin 100% të të gjitha detyrimeve të Ndërmarrjeve Shtetërore Ushtarake të Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit, duke përfshirë këtu detyrimet ndaj personelit, ish-punonjësve, bashkive dhe enteve të tjera, duke adresuar një problematikë disavjeçare, që sjell dhe një frymëmarrje financiare për pushtetin vendor, përkatësisht:

• Kombinati Mekanik Poliçan 213.000.000 Lek;
• Uzina e Lendeve Plasëse Mjekës 50.000.000 Lek;
• Uzina Mekanike Gramsh 27.000.000 Lek.

Në këtë mënyrë, këto tre objekte shkarkohen nga e gjithë barra e pengesës së të shkuarës dhe u jepet mundësia për të parë nga e ardhmja. Shlyerja e detyrimeve të tre uzinave ushtarake hap një kapitull të ri për bashkitë ku ndodhen, të cilat përfitojnë të ardhura që koha i kishte "ngrirë" prej rreth 15 vitesh.

Shtylla e tretë, ka të bëjë me rritjen e investimeve për modernizim dhe rritjen e gatishmërisë operacionale të strukturave të FARSH dhe vijimin e kontributit në operacionet dhe misionet jashtë vendit të cilat janë shtuar së fundmi edhe në kuadër të misioneve ushtarake detare.

Shtylla e katërt, ka të bëjë me përballimin e shpenzimeve për qytetarët e dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore në tërësinë e vendit, në Kamëz, Vorë, Kurbin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Peqin, Mat, Klos, Dibër, Kolonjë, Pogradec, Kukës dhe Poliçan.

Shtylla e pestë është gjithashtu shumë e rëndësishme, pasi ka të bëjë me përballimin e shpenzimeve të shtuara për medikamente mjekësore, materiale ortopedike, neurologjike, shërbime spitalore në Spitalin e Traumës, ku, siç e dini, kemi gjithashtu mbulimin e shërbimeve shëndetësore për personelin ushtarak dhe synojmë të përmirësojmë shërbimet për një numër të shtuar trupash të specializuara.

Ja pra pesë shembuj ku akti normativ siguron një rritje të investimeve dhe një rishpërndarje të të ardhurave, dy detyra parësore të një buxheti më të drejtë.

Ju faleminderit!