11/26/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/27/2024 03:44
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit projektligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë".
Në fjalën e tij, ministri Vengu foli për rëndësinë që ka miratimi i këtij projektiligji si dhe qëllimet që synohen të arrihen. "Ndryshimi i mjedisit të sigurisë kohët e fundit, por edhe sfidat e viteve dhe dekadave të ardhshme, kërkojnë që vendi ynë të rrisë në maksimum kapacitetet dhe sinergjitë e forcave aktive, ndërkohë që është i nevojshëm zhvillimi i një force rezerviste të integruar në forcën aktive, me role dhe detyra të reja e të përcaktuara qartë.
Qëllimi i kësaj nisme ligjore është kompletimi i strukturës së shërbimit ushtarak në rezervë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar nivelin e gatishmërisë dhe duke synuar rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes për të përmbushur me sukses operacionet në të cilat kjo forcë përfshihet, si dhe të rregullojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për rekrutimin dhe shërbimin në forcën rezerviste."- u shpreh zoti Vengu.
Më tej, ministri i Mbrojtjes i njohu deputetët e pranishëm edhe me numrin e trupave rezervë që synohet të afrohen si dhe me kostot për ngritjen e këtij komponenti. "Kjo ndërhyrje mbështet objektivat e nivelit të lartë të FA dhe Qeverisë, pasi do të mundësojë ngritjen e një trupe rezerviste bashkëkohore, në përgjigje të kërkesave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke rritur kështu numrin e këtij komponenti deri në 20% të forcës aktive."
Sipas planit Afatgjatë të Zhvillimit të FA është parashikuar që numri i personelit rezervistë të FARSH-it do të jetë rreth 2100 vetë, nëse kushtet dhe mjedisi i sigurisë nuk kërkojnë rritjen e tij.
Kosto fillestare e aktivizimit e përllogaritur për një numër efektivesh prej 2100 vetë është 1,694,704,920 lekë, ndërsa si shpenzime për trajtimin me pagë, shpenzime e mjeteve taktike/karburant, trajtimin me ushqim, kosto stërvitje dhe shpenzime për shërbime të tjera operative janë alokuar 926,872,512 lekë.
Më herët, ministri Vengu prezantoi në Komisionin për Sigurinë Kombëtare edhe projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera", për të cilin ai u shpreh se "parashikon bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes civile dhe vjen në frymën pozitive të rritjes së buxhetit për emergjencat civile."
Në buxhetin e vitit 2025 është parashikuar blerja e dy avionëve për përdorimin të dyfishtë, civil dhe ushtarak, si dhe do të vijojë modernizimi i mëtejshëm i kapaciteteve për këtë qëllim.