12/16/2024 | Press release | Distributed by Public on 12/16/2024 06:41
Ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu prezantoi sot, në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, projektligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë".
Gjatë fjalës së tij para deputetëve të komisionit, ministri Vengu tha se: "Qëllimi i kësaj nisme ligjore është kompletimi i strukturës së shërbimit ushtarak në rezervë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar nivelin e gatishmërisë, duke synuar rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes për të përmbushur me sukses operacionet, në të cilat kjo forcë përfshihet si dhe të rregullojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për rekrutimin dhe shërbimin nëforcën rezerviste".
Sipas ministrit të Mbrojtjes: "Kjo ndërhyrje mbështet objektivat e nivelit të lartë të qeverisë, pasi do të mundësojë ngritjen e një trupe rezerviste bashkëkohore, në përgjigje të kërkesave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke rritur kështu numrin e këtij komponenti deri në 20% të forcës aktive".
Ministri tha se, sipas Planit Afatgjatë të Zhvillimit të FA është parashikuar që numri i personelit rezervistë të FARSH do të jetë rreth 2100 vetë, në rast se kushtet dhe mjedisi i sigurisë nuk kërkojnë rritjen e tij: "Ndryshimi i mjedisit të sigurisë kohët e fundit, por edhe sfidat e viteve dhe dekadës së ardhshme kërkojnë që vendi ynë të rritë në maksimum kapacitetet dhe sinergjitë e forcave aktive, ndërkohë që është e nevojshme zhvillimi i një force rezerviste e integruar në forcën aktive, më role dhe detyra të reja dhe të përcaktuara qartë", - u shpreh ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu.
Kohëzgjatja e shërbimit si rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit, por ky afat mund të jetë më i gjatë në rast se kërkohet stërvitje më specifike, pjesëmarrje në operacione apo misione ushtarake ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE, në operacione apo misione humanitare ndërkombëtare të drejtuara nga BE, apo në operacione në mbështetje të autoriteteve civile në emergjencat civile.
Sipas projektligjit të paraqitur kanë të drejtë t'i bashkohen forcës rezerviste shtetasit shqiptarë që nuk janë të dënuar me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerje të një krimi dhe nuk kanë mbushur moshën: 50 vjeç për ushtar; 55 vjeç për nënoficer; 60 vjeç për oficer.
Shtetasit që do t'i bashkohen shërbimit rezervist do të nënshkruajnë kontratën për shërbimin ushtarak në rezervë, për një periudhë jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi. Gjatë kohëzgjatjes së shërbimit si rezervist, në projektligj parashikohet që subjektet shtetërore dhe private në rast kur njoftohen apo kur u kërkohet aktivizimi janë të detyruar të japin leje në periudhën e kërkuar, pa krijuar pengesa apo vonesa, pasi dihet që ky shërbim ka një rëndësi të veçantë për publikun.
Qeveria parashikon të shpenzojë 1.694.704.920 lekë si kosto fillestare e aktivizimit e përllogaritur për një numër efektivesh prej 2100 vetë, që përshin armatimin, mjetet dhe pajisjet taktike, set-in individual dhe uniformën. Ndërsa totali i kostos së implementimit të komponenti rezervist do të jetë 2.621.577.432 lekë.