11/23/2024 | Press release | Distributed by Public on 11/23/2024 11:48
Fotogaleria
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, z. Pirro Vengu ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me figura të larta të administratës amerikane dhe përfaqësues të NATO-s. Gjatë vizitës, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, avancimin e modernizimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare, dhe angazhimin e Shqipërisë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.
Në ditën e parë të vizitës, ministri Vengu pati një bisedë shumë pozitive me Nënsekretaren e Mbrojtjes për Politikat, znj. Amanda Dory. Siguria dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në funksion të agjendës së NATO-s, ishin pjesë e diskutimit me znj. Dory.
Gjatë këtij takimi Ministri i Mbrojtjes vuri në dukje faktin që Qeveria shqiptare po dedikon buxhetin më të konsiderueshëm të dy dekadave të fundit për Mbrojtjen dhe sigurinë, duke theksuar njëherësh rëndësinë për bashkërendimin e veprimeve me aleatin strategjik për modernizimin, zhvillimin e kapaciteteve, misionet, mbrojtjen kibernetike dhe dinamikat e sigurisë ne rajonin e Ballkanit.
Po ashtu gjatë këtij takimi Ministri Vengu dhe Nënsekretarja e Mbrojtjes për Politikat, znj. Dory biseduan për financimin e huaj ushtarak nga pala amerikane, për një modernizim gjithëpërfshirës të kapaciteteve të Mbrojtjes të Forcave tona të Armatosura, duke e ndërlidhur dhe me prioritetin e qeverisë shqiptare për rijetëzimin e industries ushtarake.
Në ditën e dytë të vizitës, ministri Vengu pati një ndërveprim të shkëlqyer në Komandën e NATO-s për Transformim (ACT) dhe Komandën e Bashkuar të Aleancës në Norfolk, Virginia. Gjatë takimit me Admiral Vandier, ata diskutuan mbi rëndësinë e procesit të transformimit strategjik të NATO-s për të përballuar rreziqet dhe sfidat aktuale dhe të ardhshme. Inovacioni, mbrojtja kibernetike, kompleksi i bazës industriale dhe procesi i planifikimit të kapaciteteve të mbrojtjes ishin tema me interes të veçantë.
Gjatë një tjetër takimi me Admiral Perry, ministri Vengu vlerësoi rolin e Komandës së Bashkuar të Norfolk-ut në sigurinë e linjave të komunikimit në Atlantik dhe në zhdërvjelltësinë e mobilitetit ushtarak, një çështje me rëndësi të veçantë për agjendën e shkurajimit dhe mbrojtjes së Aleancës. Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Shqipëria do të vijojë të mbështesë si politikisht strukturën komanduese të NATO-s, ashtu edhe me personel, për të cilët Ministri mori një vlerësim maksimal nga lidershipi i të dy komandave.
Një bisedë frytdhënëse ishte edhe ajo me z. Stanley Brown, Asistent Sekretar i Shtetit për çështjet politiko-ushtarake, ku Ministri Vengu prezantoi prioritetet e qeverisë shqiptare që lidhen veçanërisht me modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve, rijetësimin e industrisë ushtarake vendase, si dhe zhvillimin e projekteve infrastrukturore. Biseda u përqendrua te investimet përgjatë Korridorit VIII dhe mundësitë strategjike e operacionale që ofron kompleksi portual Durrës-Porto Romano në logjistikë dhe lehtësimin e lëvizshmërisë së trupave aleate në Europën Juglindore.
Shqipëria dhe SHBA janë aktualisht duke negociuar për hapjen e një kapitulli tjetër strategjik, i cili lidhet me instrumentet financiare të SHBA për mbështetje në fushën e mbrojtjes. Ky proces pritet të materializohet në muajt në vijim dhe do të hapë mundësi të reja për rritjen e bashkëpunimit të thellë midis dy vendeve. Në këtë takim si dhe në të gjitha takimet e zhvilluara nga Ministri i Mbrojtjes z.Pirro Vengu u vlerësua roli i qenësishëm që Shqipëria luan në sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe atë Euro-Atlantik, si edhe mbështetja e vendit tonë ndaj popullit afgan në të kaluarën dhe atij ukrainas që prej fillimit të agresionit rus.